intervistoi : Luigj Shkodrani

Loading...

Luigj Shkodrani: Kush është Xhemil Zeqiri? – Nga je çfarë arsimi ke dhe si autor librash që je, sa libra i ke botuar?

– Xhemil Zeqiri:
Jam i lindur në katundin Zhelinë, nga rrethi i Tetovës. Kam mbaruar shkollën e mesme teknike në Gostivar, pastaj e regjistrova në fakultetin e historisë në Prishtinë në vitin 1980-të, por pas një viti, siç dihet ndodhën demonstratat e pranverës së madhe të vitit 1981. Në katund, aty ku jetoja, kisha provokime nga policia maqedonase: thirrje informative, maltretime etj., gjegjësisht nga një stacion policor në katundin Grupin, i cili në atë kohë ishte një stacion terrorizues për shqiptaret në anën e Dervenit, prandaj u detyrova të emigroj së pari në Zvicër, pastaj në Gjermani, prej nga disa muaj më vonë erdha në Danimarkë, ku u vendosa me punë dhe prej atëherë, pra në janar të vitit 1981, me një përkushtim jam munduar të veproj për çështjen e pazgjidhur kombëtare. Dhe tani po bëhen 27 vite, pra mbi gjysmën e jetës sime e kalova në Danimarkë.

Luigj Shkodrani: Me çfarë pune merreni në Danimarkë?Diçka me fillimet tuaja në emigracion? Çfarë mendimi keni për punën e Shoqatave shqiptare në Danimarkë?

Xhemil Zeqiri:
Po… Si e mora leje qëndrimin në Danimarkë, në fillim kam punuar lloj-lloj punësh fizike, sepse diploma ime nuk ishte edhe aq me vlerë në Danimarkë, isha pa praktikë dhe këtu në perëndim iu intereson më tepër puna praktike dhe jo teorike. Pra, nuk isha i kualifikuar për këtu. Pastaj u bëra vozitës i autobusit urban dhe isha mirë, por më pengonte shumë për aktivitete që pata filluar në Danimarkë, sepse orari i punës nuk më përshtatej dot, kur aktivitetet filluan të shtohen fillova dhe kontaktet me gazetarë, partitë politike, shoqata që merreshin për çështjet internacionale, deputetë etj, prandaj u detyrova të ndërpres këtë punë dhe fillova të punoja taksist. Nga kjo punë isha më i lirë dhe kisha njëfarë pavarësie në punë, mbaja kontaktet më me rregull dhe kështu, prej atëherë vazhdoj punën si taksist. Sa i përket pyetjes suaj lidhur me shoqatat shqiptare, në fillim në Kopenhagë nuk kishte shoqatë shqiptare, por ishte një klub që quhej Jugo-Klub, që tuboheshin shqiptarët dhe që kishte ndikim të madh ambasada serbo-jugosllave dhe sigurisht shqiptarëve u kujtohet se prej nga ky klub u dënuan dhe demonstratat e mëdha të viti 1981 në Kosovë. Më vonë filluam të veprojmë disa shokë që të formohet një shoqatë shqiptare që do t´i mbronte interesat shqiptare dhe kulturore. Unë isha aktiv në këtë shoqatë, jo vetëm me praninë time, por pata dhënë 15 000 korona daneze, e dija se nuk ka mundësi të punohet për çështjen kombëtare, pa pasur mjete në dorë, të formosh një shoqatën dhe ne fakt unë sakrifikova atë shumë parash vetëm e vetëm që të fillojmë një punë të mbarë.
Pastaj, fillova edhe të merrem me shkrime, kryesisht me publicistikë: debate, iu drejtoja letra të hapura institucioneve daneze, evropiane dhe atyre të OKB-së; disa herë i dërgoja edhe artikuj shtypit të vendit, për problemet politike që ishin aktuale për kohën. Natyrisht se unë doja që të mos dilja me emër, por disa nga mesi ynë po i merrte të gjitha këto aktivitete se: ai na qenka siç thoshin “i madhi”, kur e pashë se kjo metodë ishte shumë e rrezikshme dhe do t´i kishte pasojat e veta dhe dëshpërimin e disa shokëve që dinin se kush vepron, ndërsa ky po i merrte si individuale, sepse ky me mësonte se si duhet të veproi etj. etj., atëherë dola me emër dhe mbiemër. Më vonë ato shkrime dhe intervista do t’i botoj, vetëm e vetëm sa të dinë, sepse kishte matrapazë të tillë që mundoheshin të më pengonin në aktivitetin tim, por kur shihnin se nuk kanë mundësi, së paku të rreshtohen dhe mundësisht të jenë të parët, për këtë arsye u detyrova të dal hapur me shkrime dhe me tri libra të botuara.
Librin e parë me titull: ”Kosova jonë”, Tiranë, 2000.
Librin e dytë “Në mbrojtje (diplomatike) të çështjes shqiptare”, Prishtinë, 2005.
Librin e tretë “Polemika, intervista, debate dhe letra“, Prishtinë, (?)
Natyrisht, ende vazhdoj të merrem me veprimtari atdhetare dhe tani së shpejti do të botojmë një libër të përbashkët tre autorësh; Unë, Mona Agrigoroaei nga Rumania dhe Fadil Shyti nga Suedia, me titull ”Drejt Vetëvendosjes”.
Meqenëse Fadil Shyti dhe unë i kemi disa shkrime të përbashkëta, të cilat kam qenë i përkushtuar për çështjen e pazgjedhur shqiptare, do t´i botojmë në një libër dhe ca më vonë; pastaj ka mundësi reale që do ta botoj edhe një libër tjetër me intervista pasi materialet i kam të gatshme. Për të unë kam dhënë disa herë intervista në Radion dhe TV shtetërore daneze dhe në të gjitha gazetat daneze për situata që zhvilloheshin këto 20 vitet e fundit në trojet shqiptare…

Luigj Shkodrani: Cili është mendimi juaj për politikën e sotme në Shqipëri?

– Xhemil Zeqiri:
– Po, si të them, mjerim, politika shqiptare prej kur doli ne skenë LDK-ja ose më mirë të themi LKK-ja, pra Lidhja Komuniste e Kosovës, luajti një politikë reaksionare karshi kërkesave kombëtare me një mjeshtri të madhe e peruan popullin që gjatë kohës kishte punuar dhe bash momentin kur u dashtë të jepen rezultatet, dolën këta bashibozukët, ish-aktivistët e UDB dhe krijuan këtë parti që të kenë nën kontroll gjithë popullin. Nëse ju kujtohet në fillim jepnin premtime të mëdha, sepse Enver Hoxha krijoi armiq, ndaj ne do të bëjmë bashkimin kombëtar pa luftë pa gjakderdhje dhe ky mashtrim dalëngadalë erdhi tek prapakthimi i madh: që sot e pranuan Pakon e Ahtisarit. Dikush mund të thotë se Ibrahim Rugova ka qenë i mirë etj. Por kjo politik që po udhëhiqet pikërisht është po ajo politikë reaksionare e Ibrahim Rugovës që ndjekin, jo vetëm krahu pacifist, por për fatin e keq edhe ata që dolën nga lufta pranuan një lojë të tillë…!

Luigj Shkodrani: – Deshëm të dinim diçka mbi mendimi tuaj për pavarësinë e Kosovës, ku është arsyeja sipas mendimit tuaj që ky proces vetëm po zgjatet pak si pa kuptim?

Xhemil Zeqiri:
Po, pasi asaj rezistence të madhe nga djemtë dhje cucat më të mirë të radhitur në famëmadhen Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK), – komuniteti ndërkombëtar filloi me intrigat e veta fillimisht me Konferencën “paqësore” në Rambuje që kishte për qëllim “stabilizimin” e Ballkanit. Këtu vlen të theksojmë se kjo ishte një konferencë shumë kundërshqiptare dhe shumë pro-serbe megjithëse pala serbe nuk e nënshkroi; kështu që komuniteti ndërkombëtar bëri shumë presione dhe në fund intervenoi ushtarakisht. Në atë kohë unë ndoshta isha i vetmi që dola kundër intervenimit sepse nuk dëshiroja që t´i shtohen tragjeditë popullit shqiptarë dhe në fakt koha më dha të drejtë, sepse, ja edhe sot komuniteti ndërkombëtar, tani që quhet UNMIK, në Kosovën hallemadhe ka luajtur një rol shumë kundërshqiptar.
Për këto kam shkruar mjaft dhe hartuar me kohë në analizat e mia, por tani dua të theksoj këtë fakt: se ishin politikanët servilë ata që po u lëshonin pe miqve të sigurt të serbëve, që ishin maskuar nën uniformën e UNMIK-ut; kujtojmë Kornizën Kushtetuese tek njohja e një kolaboracionisti si kryetar të Kosovës – Ibrahim Rugova, pastaj këta e njohën lojën e ndyrë të Serbisë gjegjësisht të UNMIK-ut, sepse konstatuan padrejtësisht që: “në vitin 1999 nuk ka pas luftë, por kishte konflikt”, pastaj filluan shumë lëshime të tjera në emër të pavarësisë, pra këta politikanë që u rreshtuan pas viti 1999, këta shkurtpamës në politikë menduan se ja tani u realizuan aspiratat tona dhe fjetën mbi dafine; ndërsa Serbia ishte nëndheshëm dhe hapur qe shumë aktive, dhe deri më sot as një dokument ndërkombëtar me peshë, për të ardhmen tonë, nuk është në favor tonin.
Pra, si ajo Mbledhja famëkeqe e Rambujes-Parisit, Marrëveshja teknike ushtarake në Kumanovë që shqiptaret nuk morën pjesë, sepse politikisht u defaktorizuan, pastaj rezoluta famëkeqe 1244 që njeh Kosovën nën sovranitetin e Serbisë po as pako e Martin Artisarit – asnjëra nga këto, nuk janë në favorin tonë, por janë politikanët e korruptuar që pas shumë privilegjeve pranuan dhe natyrisht se pasojat do të jenë të mëdha në të ardhmen e afërt.
Lëvizja Vetëvendosje i ka demantuar me kohë këto politika shumë reaksionare ndaj shqiptarëve, këtu dua të theksoj se me daljen në skenë të kësaj Lëvizjeje, menjëherë iu kam rreshtuar dhe jam anëtar aktiv i Lëvizjes. Nga viti 1981 kam qenë anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), pastaj një kohë të gjatë kam qenë edhe anëtar i Këshillit për Liritë e të Drejtave në Kosovë…
Dhe, dua të theksojë këtu se: Pakoja e Arthisarit nuk e njeh pavarësinë që e meritojmë, por kjo do jetë një status i si Gronlandi ose Feurni që janë koloni daneze dhe që kanë nga 40.000 banorë, edhe pse janë mbi 6000 km larg Danimarkës, megjithatë janë koloni daneze, i njëjti fat na pret edhe neve shqiptarëve me këtë politikë që po ndiqet nga ky grup negociatorësh dhe me ndërkombëtarë të tipit të Ahtisarit dhe treshes. Serbia gjenocidale e ka futur Kosovën në Kushtetutën e vet dhe kjo do ketë pasoja të mëdha në të ardhmen e afërt, ashtu siç ata nuk ishin largpamës me Konferencën e Rambujës dhe Rezolutën famëkeqe 1244, ashtu do kemi edhe telashe të mëdha pas disa viteve, sepse krahu pansllavist çdo ditë po vjen duke u forcuar dhe duke u bërë faktor vendimmarrës në politikën ndërkombëtare.

Luigj Shkodrani: Çfarë mendimi keni për radiot shqipe që ato ta kryejnë më mirë funksionin e vet në ndihmë të bashkatdhetarëve që jetojnë e punojnë në këtë vend skandinav?

Xhemil Zeqiri:
Po, tani në Danimarkë ka shumë radio lokale dhe mjete të informimit, megjithëse nuk janë në nivel. Dikur “Radio Zëri i Kosovës” ishte e para radio në Skandinavi dhe me shumë programe të mrekullueshme, më vonë ata… Në Danimarkën demokratike kemi pasur mundësi të mëdha, por ato nuk i shfrytëzuam dhe ende nuk jemi duke i shfrytëzuar mundësit që na i ofrojnë. Në fillim ishte vështirë, kur e hapëm Radion e Parë në Skandinavi dhe Evropë, më vonë programi Radio Zëri i Kosovës me të vërtetë u bë Zëri i Kosovës. Para dhe gjatë luftës çlirimtare ka luajtur një rol shumë të madh informimi jo vetëm tek punëtorët shqiptarë, por edhe më gjerë. Të kujtojmë ngjarjen ose aferën e ministrisë së jashtme daneze për Rastin Panteliç, ishte një avokat serb i anëtar i partisë së Arkanit dhe ishte verifikues në Ministrinë e Jashtme Daneze për strehuesit politikë, …shumë intervista të ndryshme në atë kohë i ka keqinterpretuar. Radio “Zëri i Kosovës” ka një bagazh të madh informativ, dhe sot e kësaj dite ka një zë të mirë jo vetëm tek shqiptarët e Shqipërisë Etnike, por kudo neper botë dëgjohet: Radio-Televizioni Zëri-Kosovës. Ka edhe disa radio të internetit, është një radio që quhet projekt 21, e cila u hap në momentin, kur filloi lufta në Maqedoni dhe luajti një rol shumë dezinformativ aty, saqë ishin dikur enveristë dhe tani kinse në demokraci janë bërë ashtu sa as vet nuk e dinë çka janë…
E kam dëgjuar disa herë një analist, quhej Haxhi Eshref Eshrefi, për fat të zi të tij më vonë u kap me drogë, bile Gazeta Urban e shkroi një artikull se u kap banda shqiptaro-serbe. Për habi të gjithëve, këtë e patën zgjedhur si Koordinator i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, se ç´ kombëtarë ishte ai me shokë e tregoi puna e tyre gjatë dhe pas luftës, kur rol kryesor ka pas Edhe Abdilhalim Kasami – turkofil dhe një agjent i ambasadës serbe-maqedone. Nuk doja të flas me tepër për këta aktivistë që i bënë dëm të madh, duke iu imponuar Shtabit të Përgjithshëm se këto kanë kontakte dhe lidhje të mëdha me politikanët danezë dhe evropianë. Vetëm do të doja të citoj se çfarë i mashtronte njerëzit kudo e sidomos nëpër ODA, ata që kishin besim në këtë turkofil dhe me thotë një bashkëpunëtor i tij se Kasami ka lidhje të mëdha, bile mbrëmë na tha se: “sipas informatave që paska ky, NATO-ja po bisedon dhe se gjasat janë që UÇK ta njoh si Ushtri të ligjshme në Maqedoni.” Paramendoje çfarë mashtrimesh i mbante rreth vetes disa kokëshkretë!
I revoltuar u shpreh me një fjalor vulgar… ai nuk është budalla dhe se gati në Ohër janë duke e nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit. Atje, partitë politike PDSH dhe PPD tradhtuan shqiptarët, por me ndihmën e këtij turkofili që e mashtroi edhe shtabin e UÇK-së, me këso pallavra. Atje, Ali Ahmeti, ka pranuar këtë marrëveshje që do jetë shumë kundërshqiptare. Përse këto gjera i di unë dhe nuk i din ish-Zëdhënësi politik, për çudi SE KUPTOVA FJALINË, që e emëruan ata të shtabit!
Pra, duke parë qëndrimin tim, këto kishin bërë plane dhe të me vrisnin bile si tradhtar, prandaj këta “patriotë” dihet se më sulmuan fizikisht në një lokal shqiptar për këto qëndrime, duke thënë se ja u tradhtua lufta u shkel mbi gjakun e dëshmorëve etj. Më sulmuan fizikisht, saqë u sëmura dhe nuk munda të rri në këmbë për ditë të tëra, sepse isha bërë operacion…
Pra, ja se kush janë këta të radios ”kombëtare dhe demokratike” projekti21. Vetëm doja të shtoja sepse tani të gjithë binden se mua të tëra radiot me kanë marrë intervistat, dhe i kanë lexuar shkrimet e mia, si ato shqiptare dhe këto daneze. Qëndrimet e mia politike janë të qarta dhe nuk kam përse të ndryshoj mendimin, do isha i lumtur që analizat e mija të mos dilnin të sakta, përkundrazi ata që shkuan atje të marrin poste në pushtet pa shtet erdhën si mos më keq, bile njëri erdhi ai i madhi t´i heq plumbat që ia dhanë si peshqesh në oborrin e tij. Flitet se ka shti si me qenë tregtar nga Anadolli lojën e futbollit…

Luigj Shkodrani: Cili është mendimi juaj për politikën e sotme në Shqipëri?

Xhemil Zeqiri:
– Si të them, mjerim politik, tragjedi! Tani Sali Berisha dhe partia e tij pasi e “stabilizuan” shtetin dhe e sollën pak a shumë në binarë, bota demokratike me vota “demokratike“ e pruri përsëri Sali Berishën në pushtet. Gjatë fushatës elektorale, ai pati premtuar se do t ´i përmirësojë gabimet e veta, por JO, JO, ai mjeran, po vazhdon me të njëjtën avaz, sikur ishte ne pushtet, dhe tani e mori dhe Prokurorin e përgjithshme në kontroll nga partizanët e Partisë Demokratike, prandaj mjerimi dhe tragjedia do vazhdojnë përderisa ky njeri i prapë do ta “udhëheqë” Shqipërinë.
Tek Ibrahim Rugova dhe Sali Berisha fjala demokraci është kuptuar si kapitalizëm dhe se atyre aspak nuk iu ka interesuar të zgjidhet çështja kombëtare. Këta dy “kryeheronj” të “demokracisë” më të çuditshme në botë nuk kanë zgjedhë mënyra dhe mjete se si të pasurohen dhe të mbeten me çdo kusht në pushtet. Mirë, Shqipëria Londineze, megjithatë e kishte shtetin, por Ibrahim Rugova ç´dreq pushteti pati kur gjatë luftës shkoi në Beograd, atje duke u zgërdhirë e nënshkroi atë deklaratën e famshme për t u ndal bombardimet e NATO, sepse po vuan populli serb. Hajde të besojmë se u kidnapua nga Millosheviqi, po përse qeshte or vëlla, po dhe shkuarja e tij në Itali dhe Gjermani, ku kërkoi azil politik, por nuk i dhanë…, pastaj përsëri kthimi në Itali, kjo tregon se ai luajti një rol si me qenë vërtetë marionetë e të huajve, apo më saktë veproi si me qenë ministër i jashtëm serb.

Kjo politikë u kritikua atëbotë nga shumë politikanë evro-atlantikë dhe me futjen e UNMIKUT në Kosovë, me mbarimin e luftës, dhe përsëri me vota “demokratike” u bë kryetar me ndërhyrjen dhe presionin e Hans Hekerupit, që me çdo kusht ai të jetë Kryetar i Kosovës, sepse ashtu donin serbet. Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi njëherë nuk pranuan, por ia përmendën se keni nënshkruar atë marrëveshjen kundërshqiptare në Paris – Rambuje. Po ja tani edhe një politikë shumë të ashpër kundërshqiptare nga UNMIK-u, gjegjësisht nga Serbia.
Paramendojeni se ç´ taktikë kanë përdorur; thoshin se Kosova nuk do jetë si para vitit 1999, Kosova nuk do të ndahet dhe bashkohet me ndonjë shtet fqinj! …Politikanët “tanë” kënaqeshin me këto premtime boshe. Pra kjo do të thotë se: Kosova nuk do jetë ajo që ia mori Serbia të gjitha të drejtat, por do ketë një autonomi substanciale sipas Marrëveshjes së Rambujes dhe pikërisht edhe sot e kësaj dite politikanët “tanë” Rugova, Thaçi, Çeku të tjerë nuk distancohen nga ajo Marrëveshje e Rambujes. Fill pas Marrëveshjes tekniko ushtarake në Kumanovë, ku këta, “tanët nuk ishin të pranishëm aty, sepse u defaktorizuan në Rambuje dhe shqiptarët nuk i pyeste kush më, pastaj Rezoluta famëkeqe 1244 e OKB-së. Po Korniza Kushtetuese, zgjedhjet me lista të mbyllura, po pranimi i parlamentit kukull, siç e quan me të drejtë – Demaçi ynë i madh, që e pranoi pa pikë rezistence se nuk ka qenë luftë në Kosovë, por kishte konflikt!!!
Po tani skandali më mi madh i të gjitha skandaleve politike: pranimi i Pakos së Atisarit, që krijon me ligje e nene të zeza, të ashtuquajturin “kombin kosovar”, sipas terminologjisë sllave, Kosovë që do të thotë zog i zi e jo me emrin e lashtë dhe të bukur Dardani, po ndryshimi i flamurit, himnit dhe simbolet, etj. a nuk janë këto të gjitha prapakthime në historinë tonë të re?!
Këtu nuk i demantuam të gjitha, këto që i përmendëm me lartë, asnjë veprim pozitiv realist nuk patën, ishte madhështore kur ish-veteranët e luftës të UÇK-së i mblodhën flamujt e ëndrrave të mbrapshta të Ibrahim Rugovës dhe ia dogjën para hundës atij satrapi dinak kundërkombëtar, i cili, sigurisht se shkoi në botën e amshuar, duke protestuar ndaj djegies së “flamurit“ të tij me histori turpesh…

Luigj Shkodrani: – Cili është mendimi juaj për politikën e sotme në Shqipërinë zyrtare?

Xhemil Zeqiri:
Mendoj se u përgjigja më lart; elif be, të gjithë një fe!…
…Dhe ajo “fe” është kundërkombëtarizmi i tyre!
Pra, në territoret etnike shqiptare pas shkatërrimit të sistemit socialist, erdhën në pushtet të gjitha grupet më reaksionare dhe më kundërkombëtare. Atyre në Shqipëri u ndihmuan indirekt serbët dhe titistët “shqiptarë” të Kosovës dhe qarqet reaksionare ndërkombëtare. Këtu vlen të theksojmë se për Sali Berishën kanë simpati të madhe miqtë e serbëve dhe armiqtë tanë, sepse ky e destabilizoi Shqipërinë dhe dëmtoi rëndë çështjen kombëtare për të stabilizuar Ballkanin. Pra, kjo strategji errësire e tyre qe dhe mbeti plotësisht në kundërshtim me amanetin e Sulejman Vokshit e Abdyl Frashrit se pa zgjedhjen e drejtë të çështjes shqiptare nuk do ketë paqe dhe qetësi as Ballkani e as Evropa dhe ja për këtë fakt ndërkombëtarët e përkrahin këtë politikë toptaniste të Sali Berishës dhe bandave të tij. Nuk ka dyshim se kjo politikë është plotësisht në kundërshtim me vullnetin politik të shqiptarëve në përgjithësi në tërë Shqipërinë Natyrale.

Luigj Shkodrani: Deshëm te dinim diçka mbi mendimi tuaj për pavarësinë e Kosovës, ku është arsyeja sipas mendimit tuaj që ky proces vetëm po zgjatet pak si pa kuptim?

Xhemil Zeqiri:
Realiteti është i hidhur, dialogu do të zgjatet pa kufi me këtë grup negociator, të gjitha vendimet në dokumentet ndërkombëtare janë në favorin e Serbisë, ndërsa politikanët “tanë” kanë pranuar një lojë të rrezikshme në disfavorin tonë. Prej Konferencës së Rambujes e të tjera vendime që i përmendëm më lart. Serbia duke i pasur të gjitha “tapitë” e Kosovës si dokumentin e Rambujes dhe Rezolutën e famëkeqe 1244, nga OKB-ja, e të tjera, nuk e pranon dot pavarësinë e Kosovës, ajo bashkë me Rusinë dhe miqtë e saj në Evropë e më tej, po ngrenë veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Për këtë grup negociator Parlamenti i Kosovës votoi kundër që Kosova të hyjë në dialog për Statusin e Kosovës. Por, nëse na kujtohet Akademik Nexhat Daci dhe “rahmetliu” Ibrahim Rugova nuk e përfillën as vullnetin e popullit, pra as vullnetin e institucionit, siç është Parlamenti. Ata shkuan në Vjenë dhe e faktorizuan Serbinë dhe Rusinë aq shumë saqë këta xhambazë politikë nuk duan ta pranojnë dhe vazhdojnë ta mashtrojnë popullin duke pas ne shërbim TV. Radiot edhe bekimin e Serbisë me UNMIK-un dhe më tej me ato qarqe ndërkombëtare “mike” që i theksova më lartë.
Por, të theksojmë faktin se të gjitha këto manipulime popullit ia bëri me dije Lëvizja Vetëvendosje duke njohur shumë mirë rolin e toptanëve të shekullit 21, që e quajnë veten ”Grupi i Unitetit”, tani siç thotë populli: “lakrorit iu hoq peta”, në zgjedhjet e 17 nëntorit u pa qartë sa të ligjshëm janë këta plëngprishës të atdheut; këta u dënuan me injorim, u dënuan me bojkotim. U dënuan keq, ashtu siç e meritojnë këta politikanë të pandërgjegjshëm, të pamoralshëm dhe tejet të korruptuar. Kujtojmë vetëm një fakt: sa miliona euro i ka harxhuar Hashim Thaçi për fushatën elektorale, ndërsa shokët e tij dhe fëmijët e dëshmorëve janë pa kulm mbi kokë dhe shpesh ju mungon edhe kafshata e gojës. Këto ditë më njoftoi një shok, i cili punon në një restorant në Berlin, se Sejdiu, Çeku dhe disa të tjerë kanë darkuar dhe pirë me një kosto të lartë, hiq më pak se 1000 euro. Pra, kjo qeveri u pasurua aq shumë duke marrë honorare për këto dialogje të poshtra me serbët, dhe natyrisht se të gjitha këto prapësi i paguan gjithmonë populli i varfër, dhe kurrë jo ata të grupit të ahtisarëve. Ne do t’u paguajmë një shumë të madhe, përndryshe shiko se ç´kapital marramendës kanë bërë; ndërsa, Akademik Rexhep Qosja nuk e merr dot një pension të mjaftueshëm, bile të ketë mundësi të botojë një libër, e të mos flasim për simbolin e rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçin, pensionin që ia jep kjo qeveri nuk i del bile, një komplet rrobash të blejë apo një litër verë të pijë në muaj…
Ky hero i gjallë, që tërë jetën veproi për çështjen kombëtare kurse tani po mohohet, po fyhet dhe po dënohet nga ata që po i marrin “votat demokratike”, ndërsa shërbëtorët e Serbisë të sojit Veton Surroi e tjerë si ai; po majmen paturpësisht me djersën e popullit. Por si duket, kohëve të fundit populli ka filluar të ndërgjegjësohet, kjo natyrisht se jep shpresa për kënaqësi, kur e shohim se në zgjedhjet e fundit dolën vetëm 37%, kjo ka ndikuar fuqishëm edhe për faktin se Lëvizja Vetëvendosje dhe forca të tjera politike si dhe shumë analistë përparimtarë, njerëz të dëshmuar, kanë bërë fushatë kanë bërë një fushatë të mrekullueshme kundër daljes në ato zgjedhje mashtruese.
Mirëpo, edhe tani si hera të tjera, RTK-ja e Agim Zatriqit, titistit me damkë dhe kompania e tij pro-serbe, bënë fushatë të ethshme pro tyre, duke propaganduar se këto nuk janë zgjedhje, por janë Referendum për pavarësinë e Kosovës e të tjera gjepura politike…
Nga kjo mund të konstatojmë që populli vlerëson ngadalë, por sigurt! Populli nuk mashtrohet përjetësisht!
Ky, është haraçi i pritjes së “pavarësisë”ky është mashtrim politik i pritjes pambarim, për më tepër neve aspak nuk na duhet kjo pavarësi e kushtëzuar e mbirë në Rambuje, ndërsa e korrur në Vjenë!
Kosovën me këtë lloj pavarësie do ta kemi pa sovranitet kur në vendin tonë do të na sundojnë të huajt… Neve na duhet dhe kemi luftuar një pavarësi e plotë, ashtu siç e kanë vendet tona fqinje…
Kujtoj këtu një deklaratë të zv. ministrit të jashtëm amerikan, kur deklaroi: “ose ka pavarësi ose nuk ka”; prandaj po e ritheksoj që neve nuk na duhet pavarësi me kushte, me bishta etj…

Luigj Shkodrani: Cili është mendimi juaj për situatën në Maqedoni dhe këto ngjarjet e fundit si ndikojnë ne zgjidhjen e statusit të Kosovës?

Xhemil Zeqiri,

Situata që po kalojnë shqiptaret në Maqedoni është produkt i politikës që folëm më lartë, e them pa ndonjë rezervë se partitë e krijuara në territoret e ish-Jugosllavisë krijuan strukturat sllave, siç ishte Lidhja Komuniste e Serbisë, Kosovës, Maqedonisë dhe ajo e Malit të Zi.
Këto parti u krijuan si aleate e partive reaksionare në Shqipëri.
Këto parti, hiq këtu Partinë për Bashkim Demokratik të udhëhequr nga Mr. Bardhyl Mahmuti. Pra, partitë e paraluftës u krijuan nga ish-titistët dhe disa ballistë të mjerë që kishin mbetur ende gjallë… Ndërsa, partitë e dala nga lufta u krijuan me ndihmën e Solanes dhe solan-sulltanëve të tjerë, proserbë. Dashtë zoti të mos jetë kështu, por fatkeqësisht kjo po vërtetohet në shumë dimensione jetësore.
Pas luftës në Maqedoni në vitin 2001, siç dihet, kjo luftë u tradhtua nga Ali Ahmeti, Musa Xhaferi dhe drejtori politik e ekonomik kadrovik etj. bashkëpunëtori i zellshëm – Abdilhalim Kasami me intrigat se paska kontakte të mjaftuara me ndërkombëtaret dhe politikanët danezë. Me fjalë të tjera, atje pas lufte filloi një diferencim i madh i tipit jugosllav, jo vetëm duke i larguar nga puna, por duke i vrarë atdhetarët aktivistë, të gjithë ata që nuk pajtoheshin me atë Marrëveshjen famëkeqe të Ohrit, pastaj duke i izoluare burgosur ishluftëtarët etj.
Një pjesë e ish-UÇK-kombëtare, gati qe 7 vite, po jetojnë në ilegalitet dhe sipas shtypit ata, që tani kanë dalë sheshit me rastin e luftimeve në Brodec, kur u sulmuan dhe atje pati një rezistencë të madhe dhe se pasojat janë shumë të mëdha sipas dëshmitarëve thuhet se ka 10 policë të vrarë, 2 helikopterë të rrëzuar, janë djegur 6 automjete lufte, dhe natyrisht se më në fund tërë këtë luftë më së shtrenjti e pagoi popullata civile duke e bombarduar në shtëpitë e tyre dhe më pastaj, duke i arrestuar banorët e pafajshëm. Për këtë ka pas dhe një raport edhe Amnasti International me ç´rast e dënon dhunën ndaj banorëve të pafajshëm, por edhe sikur të jenë kriminelë, siç deklarojnë qeveritarët maqedonasë si kanë mundur të veprojnë në atë mënyrë me bombardime dhe duke paguar mercenarë ruso-serbë.
Pra, partitë shqiptare që ishin në koalicion gjatë luftës së 2001 PDSH-ja dhe tani po hakmerren përsëri, kur të kemi parasysh se vetëm tre muaj para konfliktit 2001 Ministria maqedone tha publikisht se Maqedonia është shembull më i mirë se si iu jep të drejtat minoriteteve dhe përsëri para disa muajsh ministri maqedon pati deklaruar në gazetën angleze se: “Maqedonia është shteti shembullor, model se si i zgjedh problemet me minoritetin etj.” dhe ja Brodeci e tregoi fytyrën e vërtetë të okupatorëve sllavë ndaj shqiptarëve. Kjo, aspak nuk më habitë, por më habit qëndrimi i PDSH-së dhe i deputetëve të tyre përse luftuan shqiptaret: për të vazhduar të jenë vetëm shërbëtor të sllavëve apo si…?
Se përse luftuan shqiptarët më së miri, me një mal argumente e ka e ka hartuar shumë mirë intelektuali i madh kombëtar – Beqir Berisha. tek vepra e tij e famshme: “Përse luftuan shqiptarët”, pastaj në pamfletin e tij të faktuar, drejtuar si “Letër e hapur ndërkombëtarëve”.

Luigj Shkodrani: – Çfarë mendimi keni ju për AKSH-në?

Xhemil Zeqiri:

Po, tani po bëhet një kohë e gjatë që po lexojmë dhe shohim ushtarë të uniformuar, bile po thuhet se komandant “Drenica” , Xhavit Morina ka qenë pjesëtar i AKSH, por që ky luftëtar i lirisë u vra në pabesi nga veglat qorre të qeverisë maqedone, aspak nuk ka rëndësi se a ishin ekzekutuesit shqiptarë, maqedonë apo serbë, fatkeqësia qëndron aty se ai u vra në pabesi.
Ende nuk kam dëgjuar ndonjë shqiptim publik për vrasjen e tij. Me tepër nuk di por pritet të shohim se sa janë të vendosur këta djem e cuca ta mbrojnë popullin.
Unë mendoj se as AKSH-ja dhe asnjë ushtri deri sot nuk ka mundur as mundet të bëjë asgjë, pa përkrahjen e popullit.
Këto ditë në televizion e pashë një e shqiptim ku njëfarë mësuesi në katundin Shipkovicë, bërtiste, pra kërkonte ndihmë prej AKSH-së, kurse gjoksin e tij e kishte të mbushur me ari! Të kujtojmë këtu, fjalën e urtë popullore që: “si të kruan dora jote, nuk të kruan dora e huaj”! Tani e sa vite po jetojmë në situata tejet të ndërlikuara, prandaj si kurdoherë më parë duhet çdo ditë e më tepër të shtojmë solidaritetin tonë, ashtu siç e kishim ne shqiptarët.

Luigj Shkodrani: Kohëve të fundit po flitet shumë për bashkim të trojeve shqiptare, cili është mendimi juaj në këtë drejtim?

Xhemil Zeqiri:

Tani ekziston një thënie gjeniale nga populli shqiptar në jug që thotë, “nga e thëna në të bërë, është një det i tër딅
Popullit nëse i jepet fjala ai ashtë i plotfuqishëm dhe unë jam ithtar i Referendumit, nuk jam militarist, por i kam përkrah ushtritë çlirimtare, sepse vetëm ato e sollën çështjen e pazgjidhur shqiptare në tavolinat ndërkombëtare e jo LDK e Ibrahim Rugovës që shkeli mbi Referendumin dhe shpalljen e pavarësisë dhe tani e 17 vjet po bëjnë dialogje me Serbinë se sa të drejta do na jep ajo!!!
Pra, këta titistë dhe ballistë që dolën në skenë pas vitit 1989 shkelën pamëshirë mbi Marrëveshjen e Bujanit legjendar dhe shumë gjera që i bën duke njohur Maqedoninë shtet dhe Malin e Zi, duke bërë këtë bën tradhti kombëtare dhe për t’i mbuluar tradhtitë ata hedhin si lecka në erë, herë-herë edhe teza kinse jemi për bashkim kombëtar.
Tani, pyes: si do behet bashkimi kombëtar me Zëdhënësin e Grupit të Uniteti që flet jerm, apo Veton Surroin dhe me kompaninë e tij titiste, dhe në fakt këta ishin dhe janë pengesa kryesore e realizimit të ribashkimit kombëtar dhe për këto pengesa që na i bëjnë e kishin dhe e kanë pa rezerva përkrahjen e Serbisë dhe të miqve të saj kudo nëpër botë…

Luigj Shkodrani: A jeni human?

Xhemil Zeqiri:
Po, në tërë jetën time; që sa kam ardhur ne Danimarkë Humanizmin e kam në shpirt dhe jam munduar me mish e me shpirt të ndihmoj në çdo aspekt ata dhe ato që janë vënë ne shërbim të çështjes kombëtare, për këtë nuk me takon mua të përgjigjem, unë veproj pa pas asnjë interes dhe të gjitha aktivitet që i kam bërë, i kam bërë me djersën time, por dhe i kam ndijuar çdo individ ose organizatë që ka pas nevojë.

Luigj Shkodrani: Cila është dëshira jote që nuk keni mundur ta realizoni deri tani?

Xhemil Zeqiri:
Dëshira ime ka qenë dhe është që të bëjmë Shqipërinë Natyrore, ashtu siç na e ka dhuruar Zoti. Parullat: pavarësi me paketa ahtisariane, ose Shqipëria e madhe janë parulla shumë reaksionare, tani kur nuk ekziston Jugosllavia që e krijuan fuqitë e mëdha.

Luigj Shkodrani: A bëheni nervoz shpesh dhe pse?

Xhemil Zeqiri:

Po bëhem, si mos bëhem,kur dalin Azem Vllasët në RTK dhe na mbajë ligjërata politike për demokraci!!! – Apo, kur Veton Surroi e bënë këtë mishmash politik, kur e dimë mirëfilli të gjithë se tërë jetën e kishin jatak Serbinë.
– Po, si të mos bëhesh, o vëlla, nervoz kur e sheh në RTV tipin e Naim Malokut kundër Lëvizjes Vetëvendosje, një ish-oficer i armatës sllave me ato pikat dhe kur i tha Visarit, djaloshit trim të LV: “mos llomotit”, ec dhe mos u bën nervoz nga këto fëlliqësira titiste!
– Po si të mos bëhesh nervoz, kur e sheh Refet Elmazin, duke i masakruar popullin shqiptar në Malësinë e Madhe!
– Po si mos bëhesh nervoz, kur dëgjon ministrin e punëve të jashtëm të Shqipërisë, Lulëzim Bashën, kur thotë: Shqipëria do ketë Kosovën, një shtet të ri fqinjë !!!
Bëhem nervoz dhe e pështyjë në fytyrë këta maskarenj që tentojnë qëllimisht për interesat e tyre personale, ta ndajnë kombin shqiptar në dy komb… – Po, ne jemi vëllezër ore i gjorë!
– Dhe si mos të bëhem nervoz kur ish-shefi UNMIK-ut, Soren Jensen Pederseni, me dekret, e ka firmosur që Adem Demaçi të izolohet nga veprimtaria politike.
Paramendojeni sa tmerr! Në Prishtinë janë mbledhur nga populli disa qindra nënshkrime dërguar RTK-së, përse nuk ftohet t´i shpjegoj popullit Adem Demaçi?!
Ai farë pusi, Sulejman aga u thotë se po ai ka qenë drejtor i bordit, por… Prandaj, ka vite që titistët nuk e ftojnë heroin tonë të gjallë, t´i shprehë qëndrimet e tij, janë këta mjeranë që e okupuan këtë institucion të rëndësishëm etj. etj .

Luigj Shkodrani: A do të kemi ndonjë botim të ri nga ju?

Xhemil Zeqiri:
Po e përsëris: tani së shpejti do të botojmë një libër të përbashkët me një veprimtare nga Rumunia, quhet Mona Aggrigoroaiei dhe me Fadil Shytin, një veprimtar politik nga Kosova e Shqipërisë, që tani jeton në Suedi, dhe Unë do t i botojmë ca shkrime publicistike me ide të përbashkëta, që t´jua bëjmë me dije këtyre politikanëve të sotëm se ende deri sot, nuk kanë mësuar gjë nga dështimet!
Ata duhet doemos të ulen e të lexojnë, pa harrua të theksojë se atyre ju duhen shumë dhe këshillat popullore; nëse duan të vazhdojnë të bëjnë politikë me tej… përndryshe populli do t´i detyrojë të hiqen me çdo kusht; me demonstrata, dhe me forma të tjera të protestave, sepse pafundësisht janë duke manipuluar me vullnetin e tij!
E them me revoltë, që më së paku e meriton këtë populli ynë i shumëvuajtur shqiptar!
Pastaj, kam disa materiale shumë me rëndësi, intervista dhënë gazetave në Kosovë dhe Radio Kosovës etj., shpresoj do ta bëjë një përmbledhje dhe aty mendoj do t´i publikoj edhe shumë këshilla që ju duhen shumë politikanëve tanë të ardhshëm.

Luigj Shkodrani: Çfarë do të shtonit diçka për fund?

Xhemil Zeqiri:

Po, tani do të dëshiroja që populli ynë të vetëdijesohet të jetë sa ma solidar ndaj atyre që vazhdojnë punën për të drejtat e ligjshme të kombit tonë që po na i mohojnë miqtë e armiqve tanë. Me këtë rast do të dëshiroja t´ia urojë popullit tim kudo që jeton në trojet etnike shqiptare dhe në diasporë; festat e mëdha të nëntorit dy data shumë të rëndësishme: 28 dhe 29 Nëntorin! ”28 Nëntori 1912 Dita e shpalljes së pavarësisë së asaj gjysmë Shqipërie dhe 29 Nëntori 1944, dita e çlirimit po të kësaj gjysmë Shqipërie, nga fashizmi dhe nazizmi italo-gjerman.

FUND

Share

Leave a Reply